Mjeshtëria e detajeve: Me qëndistaren Egla Memaj
Model me gjatësi 3 centimetra, huazuar nga një sako tradicionale beratase (pallto e gjatë e qëndisur), e zmadhuar me qëndisje. Një tjetër detaj i vogël i marrë nga një veshje mesjetare, u bë më i madh dhe, për rrjedhojë, më i dukshëm përmes artit të bukur të qëndisjes. Kjo është mënyra e të shprehurit e Egla Memajt, forma e saj e artit. E re dhe e talentuar, ajo po gdhend një vend në qëndisjet shqiptare përmes stilit të saj të veçantë.
Egla në punën e saj të përditshme, foto nga IntoAlbania.
Dashuria për qëndisje ka zënë rrënjë te Egla mjaft herët, në moshën 6 ose 7 vjeçare, teksa shikonte nënën dhe gjyshen duke bërë punimet e gjilpërave. Dashurinë dhe aftësinë për këtë art, të përcjellë në familjen e saj në disa breza, e ka trashëguar edhe Egla. Nga qëndisja e rrobave të kukullës në fëmijëri, ajo zgjodhi të ndiqte pasionin e saj në Universitetin e Arteve, ku u diplomua për Modë dhe Tekstile. Pikërisht gjatë studimeve Egla kuptoi se pasioni i saj mund të shndërrohej në një profesion të plotë.
Foto nga IntoAlbania.
“Disa pjesë kërkojnë që unë të punoj nga mëngjesi në mbrëmje, për javë të tëra, madje edhe muaj. Nuk mund ta bësh një gjë të tillë nëse nuk e do vërtet”, na thotë ajo, fjalët e saj janë dëshmi e faktit se ky lloj profesioni krijues dhe i përpiktë kërkon atë lloj përkushtimi që shkon përtej përmbushjes së thjeshtë të një detyre. Duhet të shtrihet në të gjithë jetën.
Foto nga IntoAlbania.
Në të kaluarën, Egla ka ndarë me publikun punën e saj në ekspozita të ndryshme. Fokusi i saj është dhe ka qenë gjithmonë tradita, folklori dhe etnografia shqiptare. Si rezultat, ajo është një vizitore e zjarrtë dhe vëzhguese e kujdesshme e muzeve, objekteve, qyteteve, vendeve dhe njerëzve. Çdo gjë dhe gjithçka mund të shërbejë si burim frymëzimi.
Foto nga IntoAlbania.
Materialet e saj të zgjedhura janë pambuku, liri, sixhadeja dhe mëndafshi, ndërsa filli i saj i preferuar është ari. Duke krahasuar modelet e theksuara në qëndisjet e saj me pamjen e tyre origjinale në një vepër specifike ose veshje, njeriu kupton se kjo pasuri elementësh mund të anashkalohej lehtësisht nëse nuk do të ishte lupa e Eglës.
Foto nga IntoAlbania.
Atelieja e Eglas është një hapësirë e ngrohtë dhe mikpritëse për të gjithë ata që do të donin një pamje më intime të pjesëve të saj. Natyrisht, ajo pranon komisione, por gjithmonë ka parasysh kohën dhe përkushtimin që kërkon secili prej tyre. Një gjë është e sigurt. Për t'u zhytur në një botë njëherësh mesjetare dhe tradicionale, bashkëkohore dhe moderne, të ndalosh në atelienë e Eglas është një domosdoshmëri.
Adresa: Rr. “3 dëshmorët”, Yzberisht, Tiranë. Eglën mund ta kontaktoni në emailin e saj në memajegla@gmail.com.